SPAK drejt Durrësit për komunikimin e masës për kryebashkiakun Erion Veliaj
Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pritet t’i komunikohen zyrtarisht akuzat nga SPAK, në një seancë që do të zhvillohet në paraburgimin e Durrësit.
Sipas burimeve nga avokatët e përfshirë në çështje, Prokuroria e Posaçme do të shkojë në ambientet e paraburgimit për të marrë Veliajn si të pandehur, në kuadër të një hetimi që vazhdon prej disa muajsh.
Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit, pasi u arrestua më 10 shkurt. Ai është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Në të njëjtën dosje janë nën hetim edhe 6 biznesmenë si edhe bashkëshortja e Veliaj, Ajola Xoxa që vijon të paraqitet në SPAK sipas një mase të zbutur nga gjykata nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.
Ai ka kërkuar vazhdimisht rrëzim të masës së sigurisë, ndërsa së fundmi Gjykata e Lartë hodhi poshtë rekursin e bërë nga kryebashkiaku.