SPAK dhe BKH zbarkojnë në Elbasan, në fokus krimet zgjedhore! Grupi drejtohet nga prokurori Olsi Dado
Grupi i posaçëm i SPAK dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar në Elbasan në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve të 11 majit, me fokus të veçantë parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.
Në ambientet e Prokurorisë së këtij qarku është zhvilluar një takim me përfaqësues të lartë të Policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit, ku janë diskutuar hapat konkretë që po ndërmerren për të garantuar një proces të ndershëm dhe të pacënuar.
Në fokus të hetimeve janë përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale, abuzimi me administratën, qarkullimi i parave të dyshimta, përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje si dhe çdo tentativë për blerje votash.
Grupi i monitorimit i drejtuar nga prokurori i SPAK-ut, Olsi Dado, është duke ndjekur zhvillimet në terren në kohë reale, ndërsa hetuesit po përdorin pajisje me teknologji të avancuar për të dokumentuar çdo shkelje të mundshme.
Qarku i Elbasanit është konsideruar ndër më të “blinduarit” për këtë proces zgjedhor, krahasuar me 12 qarqet e tjera të Shqipërisë.