SPAK dërgon për gjykim  ish-Kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe dy ish-drejtorë (AKUZAT)

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës,  Jorgo Goros i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr.127 të vitit 2024,  i unifikuar me procedimin penal nr. 298 të vitit 2021.

Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-Kryetarit të Bashkisë Himarë ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr.9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar si dhe pikat 1,2,3 të VKM-së me Nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”,  në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë. 
Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet  në konkluzionin se; shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me shtetasit Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin Nr.171/2014 Për Përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.337, datë 22/04/2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish ndermarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve“, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura. 

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq në ngarkim të:

Jorgo Goro, ish- Kryetari i Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal. 

Vasillaq Strakosha, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer ne bashkëpunim  parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal (sipas fakteve penal të  procedimin penal  nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024

Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, me shumë se nje here e kryer ne bashkepunim  parashikuar nga neni 248  dhe 25  i K.Penal. (sipas fakteve penal të  procedimin penal  nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024.