SPAK dërgon për gjykim 5 persona, trafikonin kokainë dhe kanabis në Suedi dhe Danimarkë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.49, të vitit 2023, dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve:

1. Klajdi Dervishi (alias Klajdi Pelinku, alias Bruno Pavoti), akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 1 dhe 28/4, 333/a paragrafi i 2-të, si dhe 334 pika 1 e Kodit Penal, i arrestuar në datë 03.07.2023 dhe i hetuar me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale.

2. Arteid Musallari, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 1 dhe 28/4, 333/a paragrafi i 2-të, si dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, i arrestuar në datë 03.07.2023 dhe i hetuar me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

3. Eltion Dani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 1 dhe 28/4, 333/a paragrafi i 2-të, si dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, i arrestuar në datë 26.01.2024 dhe i hetuar me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

4. Nikolin Noku (alias Nikolin Martini, alias Nike/Nik Martini), akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 1 dhe 28/4, 333/a paragrafi i 2-të, si dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, i arrestuar në datë 11.07.2023 dhe i hetuar me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

5. Zamir Hoxha, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”,në formën e pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 1 dhe 28/4, 333/a paragrafi i 2-të, si dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, i hetuar në mungesë me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, provohet se gjatë viteve 2018-2019, të pandehurit Klajdi Dervishi, Arteid Musallari, Eltion Dani, Nikolin Noku dhe Zamir Hoxha, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që drejtohej nga shtetasi shqiptar Jetmir Kastrati (Sokol Krasnici), në përbërje të të cilit ishin dhe shtetasit e tjerë shqiptarë Defrim Beck (Elbasani), Armando Docaj, Eri Pelinku, Ervin Pelinku, Nikardo Preka, Kejdi Beqiri, Fatjon Elbasani, Murat Lipovica, Hasan Murati, Shkëlzen Murati dhe Ylber Troci, si dhe shtetas të tjerë të huaj, grup i cili vepronte kryesisht në Danimarkë dhe Suedi, si dhe gjithashtu në Holandë dhe Belgjikë, janë përfshirë në aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit dhe përpunimit të lëndës narkotike të llojit kokainë dhe bimës narkotike cannabis sativa, si dhe më pas me shpërndarjen e tyre tek shtetas të ndryshëm të panjohur në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji.

Në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal, në Danimarkë janë arrestuar, dërguar për gjykim dhe janë dënuar nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me veprimtarinë kriminale të lartpërmendur, konkretisht të pandehurit Sokol Krasnici (Jetmir Kastrati), Defrim Beck (Elbasani), Armando Docaj, Eri Pelinku, Ervin Pelinku, Nikardo Preka, Kejdi Beqiri, Fatjon Elbasani, Murat Lipovica, Hasan Murati, Shkëlzen Murati, Heyder Al Aëadi, Ali Hadi Ali Al-Hashimi, Kusai Hussain Ali Al-Hashimi, si dhe Ylber Troci.

Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal nga autoritetet daneze të drejtësisë është konsideruar shtetasi Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi).

Ndërkohë në Shqipëri në kuadër të hetimeve paraprake të zhvilluar ndaj anëtarëve të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal, në lidhje me procedime të tjera penale të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se janë dënuar me burgim shtetasit Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi), Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani për veprat penale penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, pika 1, gërmat “a”, “b” dhe “d” e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Hetimet paraprake në lidhje me këtë procedim penal nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë zhilluar pas një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet e drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës.