Protesta e thirrur ditën e sotme në sheshin Skënderbej, në shenjë homazhi për vrasjen e Egli Progës nga Denis Meçe ka bërë që të reagojë dhe motra e 42-vjeçarit. E motra e të ndjerit, Jonida Proga përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se do të marrë pjesë në protestë. Ndërkohë që ka theksuar se nuk ka për tu ndalur deri në momentin që të gjejë drejtësi për vrasjen e vëllait të saj.
Postimi i Plotë:
Miq, dashamirës, qytetarë të mirë të vendit tonë që këto ditë tragjike për familjen time na jeni gjendur kaq pranë. Vetëm mbështetja juaj na ka dhënë pak forcë të përballojmë dhimbjen e vrasjes makabre të vëllait tonë, Eglantin Progës. Faleminderit nga zemra të gjithëve kudo jeni! Nesër në dt. 19 gusht, ora 19:00 do të jem në sheshin “Skënderbej” me familjen time, në marshimin: Drejtësi Për Eglin ! Do të jem aty jo vetëm për Eglin tim, që më sheh nga Lart në Qiell, por edhe për Drejtësinë që unë në emër të tij kërkoj në Tokë, në Shqipëri. Unë nuk do ndalem sa të kem frymë e të gjej drejtësi për Eglin. Ju ftoj edhe ju pa dallim e ngjyrim, të më bashkoheni në këtë marshim dhimbje, për t‘i thënë me heshtje dhe frymë: Stop kriminelëve të tjerë që do guxojnë të vrasin Eglin tuaj!
Egli Proga u dhunua nga 29-vjeçari Denis Meçe, ku dëmtimet në trup i shkaktuan atij vdekjen. Meçe është tashmë i arrestuar, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë ende pasi ka dyshime se ngjarja ka tentuar të fshihet nga autoritetet. Në pranga bashkë me autorin janë vënë edhe tre persona të tjerë, Voltan Shulkun, Leonidha Guçen, Arian Manellarin. Ata akuzohen për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.