Sot protesta e opozitës para bashkisë/ Reagon policia: Distancohuni nga dhuna!
Sot mbahet sërish protesta e radhës e organizuar nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Policia e Shtetit bëri dje një reagim. Kjo e fundit ka marrë masa për tubimin që do të mbahet përpara Bashkisë së Tiranës.
Efektivët iu bëjnë thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna.
Njoftimi i policisë:
Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm.