Sot në Bruksel samiti i BE! Liderët diskutojnë për Gazën, Izraelin, Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë

27 liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do mblidhen sot në Bruksel për një samit njëditor me fokus të theksuar gjeopolitik.

Takimi do të trajtojë disa nga krizat më të mprehta ndërkombëtare: konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, situatën humanitare në Rripin e Gazës, pushtimin rus të Ukrainës dhe ecurinë e aleancës transatlantike në kontekstin e ri të krijuar pas rikthimit të presidentit amerikan Donald Trump.

Samiti zhvillohet vetëm dy ditë pasi Trump shpalli një armëpushim të përkohshëm mes Izraelit dhe Iranit, i cili duket se po respektohet pavarësisht tensioneve të larta. Njoftimi u prit pozitivisht nga liderët evropianë, të shqetësuar më parë për mundësinë e përhapjes së konfliktit në rajon.

Ndërprerja e përkohshme e armiqësive i ka dhënë mundësi bllokut evropian të përqendrohet më shumë te lufta në Gaza, një tjetër temë e ndjeshme që vijon të shkaktojë përplasje brenda BE-së.

Javën e kaluar, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) paraqiti shqyrtimin e tij për Marrëveshjen e Asociimit mes BE-së dhe Izraelit, duke konstatuar “indikacione” se Izraeli ka shkelur detyrimet për të drejtat e njeriut që burojnë nga Neni 2 i kësaj marrëveshjeje.