Sot Milano ndizet ‘zjarr’, Inter pranë rikthimit në finalen e Champions League pas 13 vitesh mungesë
Më pak se një javë nga fitorja në ndeshjen e pare, Inter synon të mbyll llogaritë ndaj Milanit me objektiv arritjen në finalen e Champions League.
Epërsia 2-0 favorizon zikaltërit në këtë pikë, që duke nisur nga ora 21:00 duhet të menaxhojnë siç duhet forcën e kampionëve të shkurorëzuar të Italisë për të prerë biletën drejt Stambollit. Inter mbetet optimist edhe për shkak se këtë vit kalendarik nuk njeh rezultat tjetër përveç fitores ndaj skuadrës së Stefano Piolit.
Edhe historia flet në favor të zikaltërve. Skuadra e Inzaghit duhet të besoj fort tek bilanci Europian ndër vite, pasi vetëm një skuadër është eliminuar pasi ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale me dy ose më shumë gola diferencë.
Milan do të vuaj sërish mungesën e yllit kryesor, Leao, vendin e të cilit do e marr sërish Saelemaekers. Ndërkaq, nga minuta e parë pritet të hidhet në fushë edhe Kalabria, i cili do të ul në stol Kalulu.
Në krahun tjetër, Inter do ketë organikën e plotë për të thyer sërish Milanin dhe për t’u rikthyer në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit Europian pas 13 vitesh.