Sot i vranë djalin në atentat, kush është gjyqtari Fran Prendi, dënoi grupin e Emiliano Shullazit

I riu Klaudio Prendi është vrarë në orët e para të mëngjesit në një atentat në Tiranë, menjëherë pasi ai doli nga lokali ku po qëndronte me shokët e tij.

Klaudio Prendi është djali i ish gjyqtarit Fran Prendi.

Ish-gjyqtari Prendi e nisi karrierën në Gjykatën e Pukës, në vitin 2006 është transferuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në GJKKO dhe më pas u dorëhoq pa u vënë në filtër për pasurinë, integritetin profesional dhe pastërtinë e figurës.

Në kohën kur ka qenë gjyqtar Fran Prendi ka dënuar grupin e Emiljano Shullazit.

Gjykata e Shkallës së Parë, më trupë gjykuese të kryesuar nga Fran Prendi dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin për akuzat e gjobvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkaq, me 12 vite burg u dënua Gilmando Dani, Indrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Prendi gjykoi dhe Salvatore Lettizian, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima  në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.

Fran Prendi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda prej vitit 2006, detyre që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme. Në nëntor 2020 ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut.