Sot heshtje zgjedhore! Nesër 3,7 milionë shqiptarë i drejtohen kutive të votimit, mbyllet procesi i Diasporës
Të dielën më 11 maj 3.7 milionë shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për Kuvendin e ri. Ata do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në parlament.
Ndryshe nga herët e tjera për herë të parë këtë herë voton edhe diaspora, me 245 935 emigrantë shqiptarë të regjistruar.
Pas mbylljes së fushatës të dy partive kryesore në vend PS dhe PD, sot është heshtje zgjedhore.
Nisja e procesit të votimit bëhet nesër (11 maj), ora 07:00 dhe qendrat mbyllen në orën 19:00.
Sipas KQZ dhe Kodit Zgjedhor, ato qëndrojnë të hapura edhe përtej orarit vetëm në raste të fluksit të votuesve në qendrën e votimit dhe mbyllen vetëm pasi të ketë ushtruar të drejtën edhe zgjedhësi i fundit që ndodhet aty.
Por si u finalizua mbyllja e fushatës dhe çfarë kishte të veçantë nga herët e tjera?
Mbrëmjen e djeshme mbizotëroi kryesisht një klimë e qetë politike, partitë mbyllën fushatën elektorale, ku PS e finalizoi në Parkun Olimpik dhe PD në Bulevardin e Ri, të dyja në Tiranë.
Ajo çfarë spikati ishte një ‘skenografi’ ndryshe nga ajo e rasteve të mëparshme, ku krerët e partive të mëdha ishin përqendruar më shumë tek ironitë, batutat nëpër rrjetet me video-mesazhet e mbushura me sarkazëm por nuk munguan as ‘thumbimet’ ndaj kundërshtarëve.
Kryesocialisti Edi Rama kërkon një mandat të katërt qeverisës, ndërsa opozita, e përbërë nga PD dhe aleatët e saj (mes tyre Partia e Lirisë), kërkon qeverisjen për 4 vitet e ardhshme.