Sot firmoset marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë, përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë! Hasani pritet nga homologu Tajani

ITALI– Ministri i Jashtëm Igli Hasani do të përmbyllë vizitën në Itali ditën e sotme, 6 shkurt. Rreth orës 10:00 Hasani do të pritet nga homologu Antonio Tajani, të cilët do të firmosin marrëveshjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore. Nga kjo marrëveshje do të përfirojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, si edhe italianët në vendin tonë.

Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku, nga Italia raporton se më pas dy ministrat do kenë dhe një deklaratë për mediat. Ndërsa në orën 14:30 Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.

Kur dhe si hyn në fuqi marëveshja?

Pas nënshkrimit, Marrëveshja do të ratifikohet nga të dyja shtetet kontraktuese, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse dhe instrumentet e ratifikimit do të shkëmbehen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, Marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj Marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo Marrëveshje.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje me 15 vende për njohjen e pensioneve, si Gjermania, Turqia, Austria, Belgjika etj. Ndërkohë 17 marrëveshje janë në proces negocimi dhe 3 të tjera në proces vlerësimi.

Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me:

Sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar (pasjetuesit);

Sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen;

Sigurimin e papunësisë.

Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të dy vendeve. Kujtojmë se Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022.