Sot, Dita Ndërkombëtare e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë! Thirrje për një mjedis pune më të sigurt dhe më të shëndetshëm

Sot, më 28 prill, shënohet Dita Ndërkombëtare e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, një ditë e rëndësishme që synon të promovojë dhe të diskutojë rëndësinë e krijimit të një mjedisi pune të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë punonjësit në mbarë botën.

Kjo iniciativë u themelua në vitin 2003 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), duke theksuar nevojën urgjente për të forcuar masat që reduktojnë aksidentet, sëmundjet dhe vdekjet që lidhen me vendin e punës.

Sipas të dhënave globale, 19% e vdekjeve ndodhin si pasojë e aksidenteve në vendin e punës, ndërkohë që rreth 6.500 njerëz humbin jetën çdo ditë nga aksidente ose sëmundje të lidhura me punën, çka përkthehet në rreth 2.3 milionë vdekje në vit.

Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë vjen si një thirrje e fuqishme për të gjithë aktorët – shtetet, bizneset dhe shoqërinë civile – që të punojnë së bashku për të ndërtuar një kulturë pune ku siguria dhe shëndeti janë prioritete kryesore. Nevoja për ndryshim dhe krijimi i një plani të plotë veprimi për mbrojtjen dhe mirëqenien e punonjësve është jetike për të garantuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë.