Sot afati i fundit për dorëzimin e listave në KQZ – Përballja PD-PS në 12 qarqe, kush do të jetë në garë?

Sot është afati i fundit për partitë dhe koalicionet që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, për të dorëzuar listën finale të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Partia Demokratike (PD) ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë në orën 16:00, për të miratuar listën e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Më pas, Këshilli Kombëtar do të mblidhet në orën 19:00 për të miratuar listën në parim. Në këtë proces, PD ka zhvilluar primaret për përzgjedhjen e kandidatëve, por vendimin final e merr Kryesia e partisë. Ilir Meta pritet të kandidojë për deputet në Tiranë në listën e hapur të koalicionit opozitar, ndërsa Agron Duka ka deklaruar se nuk do të jetë në listë, por PAA do të ketë përfaqësues.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste (PS) do të zyrtarizojë listën e saj në mbledhjen e Kryesisë të mërkurën në orën 19:00. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se shumica e deputetëve aktualë do të jenë në listën e hapur, ndërsa 12 vende të sigurta do t’u takojnë drejtuesve politikë të qarqeve. Në listën e sigurt pritet të jenë emra të rinj si Pirro Vëngu, Adea Pirdeni, Igli Hasani dhe Petrit Malaj.

Ndërsa shumë emra të njohur të PS-së si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Arben Pëllumbi do të jenë në listat e hapura, Rama ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë për deputet, duke lënë të hapur mundësinë e mosgarimit për herë të parë.

Pas përfundimit të mbledhjeve, listat zyrtare do të dorëzohen sot në KQZ, duke përcaktuar përfundimisht emrat që do të përballen në zgjedhjet e 11 majit.