Sonte mbrëmja gala e FSHF, ndahen çmimet prestigjoze për protagonistët e vitit! I pranishëm edhe kryeministri Edi Rama

Sot po mbahet mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit “Më të Mirët 2023” ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e lojës.

FSHF ka përgatitur gjithçka në detaje për një mbrëmje festive e pasur edhe me program artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe Kombëtares kuqezi që mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur finalet e Europianit “Gjermani2024”.

Ndërsa para nisjes së kësaj mbrëmje, i pranishëm shihet edhe kryeministri Edi Rama i cili është pritur nga presidenti i FSHF, Armando Duka.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2023” të nominuarit janë: Arinaldo Rrapaj, Florent Hasani dhe Bekim Balaj, ndërsa për “Topin e Artë 2023” për vajza finalistet janë: Valentina Troka, Ezmiralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2023’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit, ndërsa për çmimin “Trajneri i Vitit 2023” kandidaturat janë: Mirel Josa, Orges Shehi dhe Edlir Tetova.

“Talenti i Vitit 2023” do të shpallet njëri mes Ledjo Tresës, Ergis Arifit dhe Arlind Kurtit, tre prej lojtarëve të rinj që kanë spikatur këtë sezon.  Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2023” janë në garë: Rosela Vasa, Klesta Ago dhe Klaudia Borci.

Për çmimin “Arbitri i Vitit 2023” tre të nominuarit janë Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti dhe Enea Jorgji. Në fund, do të zbulohet “Formacioni i Vitit 2023” me emrat e 11 lojtarëve më të dalluar përgjatë vitit për çdo pozicion, të cilët janë përzgjedhur përmes votimit nga gazetarët e emisionet sportive në vend.