Sokol Cikalleshi sinjale Sylvinhos nga Arabia Saudite
Vijon forma e mirë e Sokol Cikalleshit në Arabinë Saudite.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi një tjetër gol vendimtar për shanset e Al Kalezh për të mbijetuar në elitën e futbollit arab. 32-vjeçari realizoi në fitoren 2-1 ndaj Al-Ettifaq, për t’i dhënë një tre pikësh me tepër vlera dhe dërguar sinjale të tjera për trajnerin Sylvinho dhe stafin teknik të kombëtares shqiptare. Cikalleshi frymëzoi përmbysjen e madhe në këtë 90 minutësh, teksa shndërroi në gol një penallti.
Përmes panenkas, shqiptari mposhti portierin kundërshtarë për të dërguar në delir tifozët e skuadrës së tij dhe barazuar shifrat momentale në 1-1. Një gol tepër i bukur që e ngjit Cikalleshin në kuotën e 9 golave në kampionat, teksa një realizim e ka regjistruar edhe në Kupën e Arabisë Saudite.
Al Kalezh mori një 3 pikësh me tepër vlera dhe i largohet zonës së ftohtë të renditjes, për të ëndërruar kështu shmangien e rënies nga kategoria.
Forma e sulmuesit është e mirë në këtë moment të sezonit, duke qënë vendimtar për skuadrën. Nëse gjithçka shkon mirë, Cikalleshi do të jetë padyshim në dispozicionin e kombëtares shqiptare për dy duelet kualifikuese të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Sylvinho beson shumë tek cilësitë dhe eksperienca e sulmuesit, i cili ka qënë tepër i domosdoshëm për kuqezinjtë.