Socialistët kërkojnë çregjistrimin e kandidatit të Berishës për Shijakun: Rezulton i dëbuar nga Zvicra
Beteja për zgjedhjet vendore të 14 majit ka filluar menjëherë pas shpalljes së kandidatëve nga të gjitha kampet politike.
Kështu Partia Socialiste ka kërkuar çregjistrimin e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Shijakut, Rezeart Tusha.
Referuar kërkesës së dorëzuar nga Eridian Salianji, Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Tusha, emri i zgjedhur nga koalicioni mes kryedemokratit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është dënuar në Zvicër.
Socialistët shtojnë se Komisioneri duhet të kryejë një hetim të plotë dhe të shpejtë ndaj Tushës, pasi ky i fundit, sipas PS-së, nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë një kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit.
“Aktualisht KQZ ka rastin që zgjedhësve të Bashkisë Shijak t’u ofrohet për zgjedhje një kandidaturë që të garantojë “besimin e publikut për funksionin e organeve të zgjedhura shtetërore” dhe në këtë kuadër kandidati Rezeart Tusha nuk e ofron aspak këtë garanci. Ndërprerja e kandidimit duke bërë çregjistrimin e në këtë fazë, në një eventualitet, mbron dhe garanton mirëfunksionimin demokratik të organeve të qeverisjes vendore”, thuhet në dokument.