“S’na lanë të shohim trupin”, flet xhaxhai i 33-vjeçarit që u vra me breshëri plumbash: Punonte në ndërtim, s’kishte konflikte

Pas vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç, xhaxhai i tij ka treguar për mediat se nuk kishte probleme apo konflikte me askënd. Sipas xhaxhait, viktima ka punuar gati një vit e gjysmë në Belgjikë dhe së fundmi në Mal të Zi, në ndërtim.

Po ashtu, ai tregoi se pasi kishin marr vesh ngjarjen mëngjesin e sotëm, policia nuk i kishte lejuar të shihnin trupin e 33-vjeçarit.

Xhaxhai i viktimës, Naim Mataj: Nuk ka asnjë konflikt nipi. Punonte në Malin e Zi si mjeshtër në ndërtim. Para afro një viti e gjysmë ka qenë në Belgjikë, ndërsa kohët e fundit ka punuar në Malin e Zi. Vëllai i tij ndodhet në Belgjikë.

Nuk kanë probleme apo ndonjë konflikt. Janë rritur me vështirësi sepse nuk e kanë pasur gjendjen ekonomike. Nuk është i martuar. Shtëpia nga vendngjarja është rreth një kilometër larg. Policia nuk na la të shihnim kufomën.

Viktima është qëlluar me automatik kallashnikov duke mbetur i vdekur në vend.