Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një fjalimi para oficerëve të forcave të armatosura pranë Rennes, bëri thirrje për një Evropë më të pavarur dhe të fuqishme në çështjet e paqes dhe sigurisë.
“Nuk mund të ketë paqe dhe siguri në Evropë pa evropianët dhe pa negociuar me evropianët,” deklaroi Macron, duke theksuar se roli i kontinentit është i pazëvendësueshëm në përballjen me sfidat globale.
Ai siguroi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, duke deklaruar: “Angazhimi ynë është t’i japim Ukrainës mjetet për të duruar dhe për të filluar negociatat nga një pozicion i fortë.” Macron shtoi se pas ndalimit të armiqësive, Evropa duhet të ofrojë garanci të forta që lufta të mos rikthehet më në territorin ukrainas, duke mbrojtur edhe sigurinë e vet kontinentale.
Presidenti francez vuri në pikëpyetje varësinë e madhe të Evropës nga armët amerikane, duke apeluar për investime më të mëdha në industritë e mbrojtjes evropiane. “Ne nuk mund të rrisim borxhin tonë dhe të shpenzojmë për mbrojtjen vetëm për të pasuruar industrinë dhe ekonominë e kontinenteve të tjera,” paralajmëroi ai.
Deklaratat e Macron theksojnë domosdoshmërinë për një Evropë më të fuqishme dhe më të pavarur, duke bërë jehonë në skenën ndërkombëtare.