“S’më ekstraduan, erdha vetë” – Florenc Çapja mohon akuzat për porositjen e vrasjes së dhëndrit të Qazim Sejdinit: Nuredin Dumanin nuk e njoh fare!
Florenc Çapja, i akuzuar se porositi vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini, ka mohuar përfshirjen në ngjarje dhe ka kundërshtuar deklaratat e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Në një deklaratë të dhënë përpara trupit gjykues, Çapja u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me Dumanin dhe se emri i tij është përfshirë padrejtësisht në këtë çështje. “Nuredin Dumanin nuk e njoh fare. S’i kam kërkuar asgjë për Sokol Sanxhaktarin. Pse më keni sajuar këtë me Nuredinin?”, tha ai.
44-vjeçari u ekstradua nga Dubai më 2 maj, por ai theksoi se ka ardhur vetë në Shqipëri. “Nuk më ekstraduan, erdha vetë. Isha i lirë në Stamboll dhe mund të ikja në çdo vend”, deklaroi Çapja.
Florenc Çapja akuzohet nga Prokuroria Speciale në bazë të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, të cilët kanë zbuluar detaje për një atentat të planifikuar kundër Sokol Sanxhaktarit, me një shpërblim prej 200 mijë eurosh të ofruar nga Çapja dhe bashkëpunëtorët e tij: Vis Korçari, Bledar Muça (i vrarë në Belgjikë në fillim të këtij viti) dhe Eljo Bitri.
Sipas Dumanit, porosia kishte lidhje me afrimin e Sanxhaktarit me rivalin e tyre Suel Çela. Nga ana tjetër, Henrik Hoxhaj ka dëshmuar se kishte rënë dakord të kryente ai vetë ekzekutimin, por atentati nuk u realizua pasi në atë periudhë ndodhi vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës.
Ndërkohë, vetë shënjestra e këtij plani, Sokol Sanxhaktari, ndodhet aktualisht në burg për një vrasje të kryer me sende të forta ndaj shokut të tij në një lokal në Elbasan.