SKY ECC s’ka mbaruar ende? Dalin të tjera përgjime/ Arrestohen zyrtarë të policisë dhe…
Një operacion i gjerë është zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Policia e Shtetit, ku janë goditur disa grupe kriminale që merreshin me trafik dhe kultivim droge.
Në total janë lëshuar mbi 10 masa sigurie, të firmosura nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së SPAK.
Operacioni është shtrirë në disa qytete, duke përfshirë Tiranën, Kukësin, Fierin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Sarandën.Sipas burimeve, 4 masa sigurie janë për oficerë të policisë. Konkretisht:
-Shkëlzen Ruska, shef i Krimeve në Himarë, është arrestuar për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.
-Ervis Alisinanaj, shef i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, është arrestuar për të njëjtat akuza, ndërsa ndaj tij rëndon edhe akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
-Elvis Dërvishi, shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për trafik narkotikësh, grup të strukturuar kriminal, kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe shpërdorim detyre.
-Erdit Hazizaj, ish-efektiv policie i larguar nga detyra në vitin 2022, është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe akuzohet për trafik droge, kultivim të bimëve narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.
Hetimet e SPAK për efektivët e arrestuar kanë nisur prej disa kohësh, pasi në aplikacionin e komunikimit të koduar Sky Ecc ka rezultuar se ata kishin lidhje me banda kriminale në fushën e narkotikëve dhe jo vetëm.