Sky ECC godet edhe bandat në Greqi, arrestohet polici, të përfshirë edhe shqiptarë

Aplikacioni “SkyEcc” shndërrohet në makth edhe në Greqi.

Policia greke ka zhvilluar operacionin e parë për zbardhjen e ngjarjeve që kanë dalë pas komunikimeve në platformë dhe  ka çuar në arrestimin e një oficeri 42-vjeçar të anti-drogës që dyshohet se bashkëpunonte me trafikantët.

Financimi i tij në baza mujore nga një rrjet ndërkombëtar droge për të dhënë informacion dhe për të shmangur arrestimin e anëtarëve të tyre u zbulua nga hetimi i shërbimit të Brendshëm.

Mësohet se urdhër arreste janë lëshuar edhe ndaj dy trafikantëve, një shqiptar dhe një grek. Burime paraprake bëjnë me dije se grupi merrej me trafik kokaine dhe marijuane. Detaje në lidhje me këtë operacion pritet të publikohen në orët në vazhdim.

Policia greke ka fituar akses në komunikimet “Sky ECC” në muajin prill 2024. Janë 4500 skedarë audio, 28 milionë sms dhe 250 000 foto me interes grek që tashmë janë në dispozicion të Drejtorisë së Menaxhimit të Analizës së Informacionit (DIDAP).

Janë rreth 3000 përdorues të “Sky ECC” që kanë vepruar direkt ose indirekt në Greqi, përfshirë edhe qindra shtetas shqiptarë.