Skënderbeu mposht Dinamon, ‘prek’ gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë

Skënderbeu thyen mallkimin Dinamo në këtë sezon, për të hedhur një hap drejt gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë.

Korçarët triumfuan në takimin e parë çerekfinal me shifrat 0-2. Klubi korçar fitoi në “Elbasan Arena” aty ku u luajt dhe sfida për kampionat, me skuadrën e teknikut Ernest Gjoka që hedh pas krahëve dy barazimet dhe një humbje në këtë sezon ndaj kryeqytetasve.

Sulmuesi kryesor i skuadrës, Charles gjeti golin e parë falë aftësive individuale, ndërsa më pas blutë  toleruan për të pësuar sërish. Goli i dytë dhe ai që vulosi shifrat përfundimtare  erdhi si pasojë e gabimit në mbrojtje, me dinamovitët që shënuan në portën e tyre. Korçarët koleksionojnë një fitore të jashtëzakonshme dhe janë me një këmbë në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë.