Skenarët se çfarë do ndodhë me Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt/ Tre muaj pritje, kompetencat mund t’u delegohen…
Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të vijojë qeverisja e kryeqytetit në javët e ardhshme. Veliaj pritet të dalë përpara gjykatës brenda 48 orëve, ku do të shqyrtohet masa e arrestit me burg.
Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej në një vizitë në Shkodër në momentin e arrestimit, është kthyer urgjentisht në Tiranë, por deri në përfundimin e seancës gjyqësore nuk pritet asnjë vendim politik për të ardhmen e Bashkisë së Tiranës.
Ligji për pushtetin lokal parashikon disa skenarë për drejtimin e përkohshëm të bashkisë:
• Skenari i parë: Erion Veliaj mund t’ua delegojë kompetencat e drejtimit një prej dy nënkryetarëve të bashkisë.
• Skenari i dytë: Nëse Veliaj nuk e bën këtë, këshilli bashkiak mund të mblidhet dhe të vendosë delegimin e kompetencave tek një prej dy nënkryetarëve.
Megjithatë, kjo situatë nuk mund të zgjasë pafundësisht. Neni 62 i ligjit për pushtetin lokal parashikon se nëse kryetari i bashkisë mungon në detyrë për më shumë se tre muaj, këshilli bashkiak ka të drejtë të propozojë shkarkimin e tij, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga Këshilli i Ministrave.