Skenarët për arritjen e paqes në Ukrainë

Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për një zgjidhje paqësore të luftës në shkallë të plotë tashmë trevjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Zëri i Amerikës shqyrtoi disa përqasje të ndryshme të paraqitura nga organizatat studimore kohët e fundit që synonin arritjen e një paqeje të qëndrueshme për këtë luftë.

Strategjia e trysnisë maksimale

Një plan i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), i titulluar “Si të fitohet: Një plan me shtatë pika për paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, bën thirrje për “një strategji trysnie maksimale për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave me mirëbesim”.

Plani propozon që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre:

•”Duhet të ofrojnë mbështetje materiale të menjëhershme për Ukrainën pa kushte, duke synuar lodhjen e ushtrisë ruse dhe në këtë mënyrë përmirësimin e pozicitave negociuese të Ukrainës”.

·”Duhet të rriten sanksionet ndaj institucioneve financiare ruse dhe subjekteve të sektorit energjetik, të përdoren pasuritë e ngrira ruse për të mbështetur mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës dhe të vendosen sanksione dytësore për të intensifikuar trysninë ekonomike jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj regjimeve autoritare të Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut”.

CEPA thotë se “Ukraina dhe Evropa” duhet të përfshihen në bisedimet për paqe me Rusinë, se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin “një koalicion të vullnetshëm të udhëhequr nga evropianët” për të zbatuar një “vijë armëpushimi me një forcë ndërkombëtare” dhe se “aleatët evropianë duhet të bëjnë përparim të qëndrueshëm dhe sa më të shpejtë të jetë e mundur drejt anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian”.

Një nga autorët e raportit, Catherine Sendak, drejtuese në CEPA për mbrojtjen dhe sigurinë transatlantike, i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet të hyjnë në bisedime me Rusinë vetëm duke “pajisur Ukrainën me mjetet më të forta të mundshme” dhe duke përdorur “mjetet e tyre diplomatike” më të vështira.

Ajo shtoi se çështja e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO nuk duhet të përfshihet në bisedimet me Rusinë. “Ta diskutosh këtë me një vend jo-anëtar të NATO-s … nuk besoj se është e dobishme për ndonjë negociatë”, tha zonja Sendak, duke vënë në dukje se kjo do t’i jepte Rusisë “të drejtën e vetos, nëse dëshironi, mbi … përzgjedhjen e anëtarëve për t’u bërë pjesë, ose jo, e aleancës”.

Taktikat e negociatave

Josh Rudolph, studiues në Fondin Marshall Gjerman dhe kreu i Grupit të Punës të Demokracisë Transatlantike, ka punuar mbi politikat me Rusinë dhe Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Presidentit Trump.

Muajin e kaluar, ai ofroi rekomandime politike për administratën aktuale të Presidentit Trump për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

Ndër to:

• “Afrojuni [presidentit rus Vladimir] Putin nga një pozitë e fortë. Ndërsa Putini dukej i ashpër dhe i aftë në fillim të mandatit të parë të (Presidentit) Trump, gabimi i tij në Ukrainë e ka lënë atë në pozita të dobësuara. Si partneri dominant në këtë marrëdhënie, (Presidenti) Trump dhe jo Putini, mund të përcaktojë kushtet negociuese”.

• “Të dini kur të largoheni. Një moment jetik në negociata do të vijë kur Putini të refuzojë të bëjë lëshime të mëdha. (Presidenti) Trump duhet të jetë i përgatitur të largohet”.

• “Kombinoni sanksionet me çmimet më të ulëta të naftës dhe gazit. Mënyra më e mirë për ta bërë Putinin të kuptojë se presioni në Ukrainë do të sillte katastrofë për sundimin e tij është t’i bësh trysni Rusisë financiarisht… Duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij më të ngrohta me Arabinë Saudite krahasuar me ato që kishte [ish-Presidenti Joe] Biden, (Presidenti) Trump duhet të furnizojë tregun e karburanteve fosile, gjë që do t’i bënte sanksionet të qëndrueshme, do t’i shkaktonte mangësi makinerisë së luftës ruse dhe do të gjeneronte rreziqe të stabilitetit politik në Moskë”.

Duke kërkuar përfitime ekonomike

Në një raport të titulluar “Dollarët dhe botëkuptimi: Interesi i Amerikës për një fitore të Ukrainës”, Elaine McCusker, Frederick W. Kagan dhe Richard Sims nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes shqyrtuan koston e ndaljes së mbështetjes për Ukrainën, duke arritur në përfundimin se kjo do të çonte në humbjen e Ukrainës dhe përparimin e Rusisë më tej brenda Evropës, duke i detyruar Shtetet e Bashkuara të rrisin praninë në Evropë.
Ndër përfundimet e raportit:

• “Mbështetja e Ukrainës në fitoren kundër Rusisë është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara”.

Përqasja e rrugës së mesme

“Projekti 2025 i Tranzicionit Presidencial” i Fondacionit Heritage përfshin rekomandime politike në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë.

Materiali vë në dukje se lëvizja konservatore amerikane është e ndarë mbi Ukrainën – njëra palë mbështet Kievin, tjetra favorizon largimin – dhe projekti ofroi një rrugë të mesme.
Ndër rekomandimet e Projektit 2025:

• “Në lidhje me Ukrainën, përfshirja e vazhdueshme e SHBA-ve duhet të paguhet plotësisht; e kufizuar tek ndihma ushtarake (ndërsa aleatët evropianë trajtojnë nevojat ekonomike të Ukrainës); dhe të kenë një strategji të përcaktuar qartë të sigurisë kombëtare që nuk rrezikon jetët e amerikanëve”. / VOA