Skemë miliardëshe mashtrimi te “Bankers Petroleum”, Gjykata e Fierit lë në burg CEO-n kinez dhe ish-administratorin

Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy drejtues të lartë të kompanisë “Bankers Petroleum”, përfshirë CEO-n kinez dhe ish-drejtorin e përgjithshëm, të cilët akuzohen për një nga skemat më të mëdha të evazionit fiskal në Shqipëri. Së bashku me ta, u konfirmuan masat e sigurisë edhe për 7 punonjës të tjerë të kompanisë, të cilët ndodhen nën hetim.

Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania që operon në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ka zbatuar për vite me radhë një skemë të sofistikuar mashtrimi, duke raportuar humbje të rreme për të shmangur detyrimet tatimore. Në 20 vitet e fundit, “Bankers” ka deklaruar se operonte me humbje të përhershme, ndërkohë që hetimi ka zbuluar se vetëm për një periudhë të caktuar janë shitur rreth 532 miliardë lekë naftë, ndërsa janë deklaruar vetëm 11.7 miliardë lekë humbje.

Sipas organit të akuzës, dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit shqiptar nga kjo skemë arrin në mbi 5 miliardë euro. Dy drejtuesit kryesorë të kompanisë akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe evazion fiskal në përmasa të mëdha.

Gjatë seancës gjyqësore, të akuzuarit kanë mohuar çdo përfshirje, duke pretenduar se janë të pafajshëm dhe se veprimet e kompanisë kanë qenë në përputhje me ligjin shqiptar dhe marrëveshjet e koncesionit.