SKEMA/ U arrestua në Dubai, si i pastronte Armis Stafa paratë e Franc e Hajdar Çopjas
Autoritetet në Dubai kanë arrestuar të martën Armis Stafën, i njohur edhe si Armees Stava, pas një njoftimi të marrë nga Interpol Tirana për vendndodhjen e tij. Stafa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, ndërsa Gjykata e Posaçme i kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “pastrim parash, kryer në bashkëpunim”.
Hetimet e nisura nga SPAK në vitin 2022 zbuluan se Armis Stafa dyshohet se ka qenë pjesë e një skeme të mirëorganizuar për pastrimin e parave të dy vëllezërve të njohur të botës së krimit, Franc dhe Hajdar Çopja. Emri i tij doli në pah gjatë një operacioni të gjerë të drejtuar nga SPAK për goditjen e grupit kriminal të vëllezërve Çopja.
Si funksiononte skema e pastrimit të parave?
Sipas hetimeve, Armis Stafa përdorte një kompani të regjistruar në emrin e tij për të krijuar një fasadë ligjshmërie. Përmes kësaj kompanie, ai blinte dhe shiste automjete luksoze në mënyrë të vazhdueshme. Këto transaksione shërbenin për të justifikuar origjinën e paligjshme të të ardhurave që në të vërtetë vinin nga aktiviteti kriminal i vëllezërve Çopja.
SPAK dyshon se Stafa nuk vepronte i vetëm. Ai ishte pjesë e një rrjeti të gjerë që përfshinte persona të tjerë të dyshuar si: Talo Çela, kushëriri i tij Armis Stafa, Rexhino Doçi, Klajdi Merkaj, Arben Lamçja, Maklen Mici dhe Bashkim Lika. Të gjithë këta, sipas hetuesve, maskoheshin si tregtarë dhe biznesmenë, por në realitet luanin rol kyç në qarkullimin dhe pastrimin e parave të pista të Hajdar dhe Granc Çopja.