SKEMA/ Si i pastronte paratë ‘’Tony Gjika’’ nëpërmjet firmave në Dubai, dalin mesazhet: Kujdes llogarinë…

Një shqiptar 48-vjeçar, i dyshuar si drejtues i një rrjeti të madh të trafikut të kokainës, është arrestuar më 26 maj në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet në Ekuador. I dyshuari, Dritan Gjika, akuzohet se ka qenë në krye të një organizate të fuqishme kriminale që ka trafikuar drogë nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe ka pastruar miliona euro përmes kompanive në vende të ndryshme.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Rrjeti Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative (OCCRP), Gjika ka përdorur Ekuadorin si bazë për operacionet e drogës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht Dubain, si qendër për pastrimin e fitimeve të paligjshme.

Një rrjet që përfshinte tre kontinente

Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal i drejtuar nga Gjika trafikonte kokainë të fshehur brenda kontejnerëve me banane, duke përdorur kompani eksporti për të maskuar aktivitetet ilegale. Droga dërgohej nga Ekuadori drejt vendeve evropiane si Spanja, Holanda, Belgjika dhe vendet e Amerikës Qendrore.

Për të fshehur paratë e përfituara nga trafiku, organizata përdorte kompani dhe llogari bankare në Dubai dhe Spanjë. Autoritetet kanë përgjuar komunikime që tregojnë se Gjika ishte shumë i kujdesshëm për të shmangur zbulimin, duke dhënë udhëzime të qarta për mënyrën e transferimit të shumave të mëdha.

Në një nga bisedat e përgjuara, Gjika i thotë një bashkëpunëtori të tij:
“Mbajini transfertat nën 50 mijë euro, në mënyrë që të mos i njoftojmë autoritetet”.

Kjo është një taktikë e njohur që përdoret për të shmangur kontrollet automatike që ndodhin kur transferohen shuma më të mëdha parash.

Dyshime nga autoritetet financiare dhe hetime më të thelluara

Megjithatë, aktiviteti i pazakontë në llogaritë bankare nuk kaloi pa u vënë re. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ka pasur depozita të shumta në para të gatshme dhe transferta të shpeshta në llogari ndërkombëtare, gjë që ngriti alarmin te autoritetet financiare në disa vende.

Sipas një dokumenti të njohur si “audiencia de vinculación a la instrucción fiscal”, autoritetet paraqesin prova për biseda të zhvilluara ndërmjet Gjikës dhe një “partneri financiar të paidentifikuar”, ku flitet për mënyrat e lëvizjes së shumave të mëdha parash përmes ndërmjetësve dhe kompanive fantazmë.

Arrestimi dhe përfshirja e autoriteteve ndërkombëtare

Pas një hetimi disa mujor, policia ekuadoriane, me ndihmën e forcave të sigurisë spanjolle dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, arriti të lokalizojë dhe arrestojë Gjikën në Abu Dhabi. Ai ndodhet tani në paraburgim, ndërsa po përgatitet procedura për ekstradimin e tij në Ekuador, ku do të përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Policia ekuadoriane njoftoi se Gjika kishte hyrë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme si vizitor. Më pas, ai kishte krijuar lidhje të forta në botën e krimit dhe ishte kthyer në një nga njerëzit më të kërkuar në vend.

Në fillim të vitit 2025, një gjykatë ekuadoriane dënoi tetë anëtarë të rrjetit të tij për pastrim parash të ardhura nga trafikimi i drogës, çka vërteton sipas autoriteteve ekzistencën e një strukture të organizuar dhe të sofistikuar kriminale.

Për momentin, avokati i Dritan Gjikës nuk ka dhënë asnjë koment publik mbi arrestimin apo mbi akuzat që rëndojnë mbi klientin e tij. Megjithatë, dokumentet dhe komunikimet e përgjuara që janë paraqitur në gjykatë, sipas OCCRP, përbëjnë një bazë të fortë për akuzën dhe kanë bindur një gjyqtar ekuadorian të lëshojë një urdhër-arresti ndërkombëtar.