SKEDA/ Konfliktet me Bajrat dhe Bilalët, kalvari i gjatë me 11 të vrarë i familjes Lici, të fortët’ e Shkodrës!

Që prej të paktën 5 vitesh, fisi Lici në Shkodër ka qënë në qendër të një zinxhiri krimesh dhe përplasjesh të përgjakshme për territor, biznese ilegale apo larje hesapesh dhe hasmëri.

Motive komplekse që e kanë origjinën te mosmarrëveshjet mes anëtarëve që dikur ishin një grup i vetëm dhe më tej i përçarë. Ibrahim Licit të cilit sot (30 Tetor 2024) iu vra në atentat i vëllai, Hamzai, cilësohet si kreu i celulës në fjalë, grupi i të cilit u godit sot dhe u regjistruan 2 viktima, nga të cilat një e pafajshme.

Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Së fundmi ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit, ndërsa rezulton në kërkim për disa vrasje të bujshme.

Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.

Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit  i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 prilli”.

Lidhja e Endri Mustafës me Astmer Bilalin

Viktima e djeshme në Shkodër, Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale.

Kujtojmë se Mustafa është dënuar më parë për plagosje, ndërsa në vitin 2016 u arrestua pasi akuzohej se në bashkëpunim me disa të tjerë kanë grabitur një person duke i marrë sendet personale dhe paratë. Po ashtu u shpall në kërkim edhe Asmer Bilali.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se janë autorë të veprave penale “Vjedhje me armë”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve me iniciale E.Gj dhe G.M.

Si nisen përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri

Krimi është vijim i përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje që ka regjistruar disa viktima.

Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.

Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.

Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.

Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.

Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.

Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.

Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.

Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”. Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.

Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.

Tre ditë më parë, saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor është sërish Ibrahim Lici.

Arrestimi si pjesë e bandës së gjobëvënësve

Ibrahim Lici ka një histori të gjatë përplasjesh dhe njihet nga policia. Ai ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017 pasi drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër.

Muhamet Lici i dënua me 13 vite burg, ndërsa  gjykata e la të lirë Ibrahim Licin, i cili ishte kthyer në një ‘dhimbje koke’ për policinë e Shkodrës.

Ndërkohë, në disa foto të publikuara nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Ibrahim Lici shfaqet me anëtarë të tjerë të bandës, i maskuar dhe me armë në duar.

KRIMET NË SHKODËR

13 janar 2018, atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.

Qershor 2018, zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.

18 qershor 2018, ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.

15 korrik 2018, vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish-polici Boran Bercana dhe Silvi Ndoci, bashkëjetuese me të.

8 gusht 2018, vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vellai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale.

1 shtator 2018, vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kalëronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shenjestrën.

14 nëntor 2018, në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.

20 mars 2019, në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.

30 mars 2019, vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Bilali.

17 maj 2021, vritet Endri Mustafa

Check Also

Ndahet nga jeta babai i Jonida Vokshit, moderatorja: Ma bëre shpirtin copë o ba…

Moderatorja e njohur shqiptare, Jonida Vokshi, ka ndarë sot një lajm të dhimbshëm me ndjekësit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *