Skandaloze në Beograd! Burra me foto të Ratko Mladiqit mohojnë gjenocidin në Srebrenicë gjatë përkujtimit për viktimat

Në ditën e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, organizata “Gratë në të Zeza” organizoi në Beograd një aktivitet përkujtimor me moton “Asnjëherë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”.

Aktivistet zhvilluan një veprim simbolik me 30 pasqyra që përfaqësonin ballafaqimin me të kaluarën, duke qëndruar pranë statujës së princit Mihailo dhe mbajtur numrin 8372, që simbolizon viktimat e masakrës.

Por ngjarja u trondit nga prezenca e tre personave që mohuan gjenocidin, duke përdorur megafonë dhe duke mbajtur simbole nacionaliste. Njëri prej tyre mbante këmishën me fotografinë e Ratko Mladiqit, gjeneralit serb të dënuar për krime lufte, dhe valëviste flamurin e Republikës Serbe.

Në këtë kontekst, “Gratë në të Zeza” kërkuan nga Serbia që të pranojë zyrtarisht gjenocidin në Srebrenicë, të ndalojë ligjërisht mohimin e krimeve dhe të heqë murale që lavdërojnë kriminelët e luftës. Ata gjithashtu kërkuan që 11 korriku të shpallet Ditë Përkujtimore e Gjenocidit të Srebrenicës.