Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Leka Bungo, ka denoncuar sot në Komisionin e Medias një proces të parregullt dhe të manipuluar për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni.
Sipas Bungos, 8 kandidatë u skualifikuan padrejtësisht nga gara, ndërsa Aurora Polo, një nga dy emrat që kaluan fazën përfundimtare, është në konflikt të hapur interesi dhe nuk plotëson kriteret ligjore për këtë post.
Bungo deklaroi se ky proces zgjedhor ka qenë i paligjshëm dhe i manipuluar qëllimisht, duke theksuar se Aurora Polo nuk duhet të ishte përzgjedhur as si zv.drejtoreshë, e megjithatë ajo u emërua në këtë post më herët me shkelje të ligjit.
“Ligji është i qartë, drejtori dhe zv.drejtori i RTSH duhet të kenë mbi 10 vite përvojë pune dhe jo më pak se 5 vite në median e shkruar ose audiovizive. Aurora Polo ka mbaruar për inxhinieri dhe nuk ka punuar në media, ndaj përzgjedhja e saj është e paligjshme.” – tha ai.
Bungo gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e transparencës në RTSH, duke e quajtur atë “kancerin e institucionit” dhe akuzoi administratën se nuk zbaton vendimet e Këshillit Drejtues.
“RTSH është mbajtur i mbuluar për të mos dalë në shesh abuzimet që janë bërë ndër vite nga drejtuesit. Ka 18 vendime të Këshillit që nuk janë zbatuar nga administrata. Unë si kryetar e kam denoncuar këtë situatë, por nuk kam pasur asnjë mekanizëm për të vepruar.”
Gjatë fjalës së tij, Bungo pranoi se kishte bërë një gabim procedural, duke lejuar një anëtar të Këshillit, Mevlan Shanaj, të votonte nga Vietnami.
“Ky është faji im dhe e marr përsipër. Nuk e kam ditur, nuk dua të justifikohem, por nga ana juridike kjo nuk ka sjellë pasoja në rezultatin përfundimtar të votimit.”
Në përfundim, Bungo tha se do të vijojë betejën ligjore për të kundërshtuar këtë proces, duke paralajmëruar një padi në gjykatë.
“Unë nuk pajtohem me këtë vendim dhe do ta çoj çështjen në gjykatë. Deri sa të ketë një vendim përfundimtar, unë nuk do të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit”, u shpreh Bungo.
Përplasje mes Leka Bungos dhe Ilir Kekos për zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së: Akuzat për paligjshmëri dhe tentativat për manipulim
Leka Bungo, është përplasur edhe me anëtarin Ilir Keko lidhur me procedurën e ndjekur për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të televizionit publik. Keko E ka kundërshtuar Bungon, duke e cilësuar procesin si të ligjshëm dhe duke theksuar se Bungo ka tentuar ta manipulojë atë.
Keko ka shpjeguar se ka kërkuar hapjen e procesit që nga shtatori, kur Alfred Peza dha dorëheqjen, por Bungo nuk e ka pranuar këtë kërkesë, duke preferuar të vendosë vetë për procesin. Sipas Kekos, në mbledhjen e 2 dhjetorit, Bungo ka tentuar të hapë garën për drejtorin e përgjithshëm pa e votuar, duke shkaktuar një konflikt në atë mbledhje.
Në debat, Keko ka theksuar se Bungo ka tentuar të kontrollojë procesin duke e hapur dhe mbyllur atë në mënyrë arbitrare, pa asnjë orientim të qartë, ndërsa Bungo ka kritikuar zgjedhjen e Aurorës Polo si kandidatë, duke e quajtur atë të papërshtatshme për pozitën e drejtoreshës.
Kjo përplasje nënvizon tensionet brenda strukturave të RTSH-së dhe shqetësimet për transparencën dhe ligjshmërinë e procedurave të zgjedhjes.
Pjesë nga diskutimi:
Keko: Në parim për procesin, unë e di që jam në rregull. Nuk mund të pranoj që procesi, që kur ka filluar, është në kundërshtim me ligjin. Dhe as nuk diskutohet fare.
Bungo: Po ligjin ti e njeh, që duhet të ketë minimalisht 5 vjet në media. Është e ligjshme vota jote për Aurora Polon.
Keko: Lexojeni ligjin siç është i saktë dhe mos e interpretoni ligjin si doni ju. Po të jetë për procesin, ne kemi kërkuar që në muajin shtator, që kur iku Alfred Peza, për hapjen e procesit. Kryetari nuk ka pranuar për hapjen e procesit. ‘Atë e di unë’- ka thënë. Duke vënë vetë.
Në dhjetor, pas presionit tuaj (komisionit të medias) u kërkua të hapej. Dhe e dini ju sesi është kërkuar të hapet? Duke filluar mbledhjen kryetari në datën 2 dhjetor dhe duke thënë; deklaroj të hapur garën për drejtorin e përgjithshëm. Pa votim, sepse nuk e donte votimin. Për këtë është bërë sherri në atë mbledhje dhe u votua, sepse nuk ka sesi të dilet me një vendim pa u votuar. Në mbledhjen tjetër u bë po e njëjta situatë dhe po të njëjtën gjë kërkonte kryetari që në fillim. Kryetari është për të hapur dhe mbyllur mbledhjet, nuk është për të mbajtur një orientim të mbledhjes. Ne nuk jemi firmëtarë nga mbrapa.
Në dhjetor kemi mbajtur një qëndrim duke thënë se nuk ka kohë fizike për ta zgjidhur drejtorin e përgjithshëm sepse përpara kemi festivalin, programin e vitit të ri. Dhe që të zgjidhet drejtori duhet 4 ose 5 seanca mbledhjesh.
Për mua procesi është i ligjshëm në gjykimin tim. Por jam i bindur se për kryetarin procesi do të vazhdojë të jetë i paligjshëm përsa kohë nuk rezulton ashtu si do ai.
Bungo: Si nuk ka paligjshmëri? Aurora Polo nuk ka asnjë lidhje me kriteret, fare, fare. Pavarësisht se edhe shpallja e garës që e zgjati kryetarin, për mua janë humor.