Skandali në koncertin e Coldplay, CEO i Astronomer pezullohet pas videos virale me punonjësen

Një video virale nga koncerti i grupit Coldplay ka shkaktuar një furtunë në kompaninë amerikane të teknologjisë Astronomer, duke çuar në pezullimin e menjëhershëm të CEO-së Andy Byron. Në pamjet që u transmetuan në një ekran gjigant gjatë koncertit në Boston, Byron u kap në momente intime me drejtuesen e burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot, duke nxjerrë në pah një lidhje jashtëmartesore mes tyre.

Kur çifti u shfaq në ekran përpara mijëra spektatorëve, reagimi i tyre ishte i menjëhershëm – u përkulën dhe tentuan të shmangeshin nga kamera, por tashmë ishte tepër vonë. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjete sociale dhe shkaktoi reagime të shumta, si në publik, ashtu edhe brenda vetë kompanisë.

Të premten, kompania Astronomer lëshoi një deklaratë zyrtare në platformën X (ish-Twitter), duke konfirmuar pezullimin e Byron-it:

“Astronomer është i përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na kanë udhëhequr që nga themelimi ynë. Pritet që udhëheqësit tanë të vendosin standardin si në sjellje ashtu edhe në llogaridhënie. Bordi i Drejtorëve ka filluar një hetim formal për këtë çështje dhe do të kemi detaje shtesë për të ndarë shumë shpejt.”

Në vend të tij, është emëruar përkohësisht bashkëthemeluesi dhe Drejtori i Produkteve, Pete DeJoy, si CEO i përkohshëm.

Andy Byron është bashkuar me kompaninë në korrik të vitit 2023, ndërsa Kristin Cabot punon si drejtoreshë e burimeve njerëzore që nga nëntori i vitit 2024. Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar publikisht identitetin apo përfshirjen në video.