Skandali me salmonelën “vrasëse” në tavolinat e shqiptarëve! DiMal dhe AMG përgjegjëse! Mond Goxha në kërkim! “Shkundet” AKU

Pas skandalit të filetove të pulës me salmonelë helmuese, importuar nga kompania AMG dhe nxjerrë në treg nga DiMal shpk, “mbyllja” e syve nga ana e AKU dhe dhënia kohë për ta shitur këtë produkt vdekjeprurës nga ISUV, ka bërë që policia e Tiranës të shpallë në kërkim Mondi Goxha dhe Arben Goxha, vëllezër dhe administrator të dy kompanive përgjegjëse për këtë produkt të futur në treg.

Një ditë më parë Replikë solli ekskluzivisht gjithë skandalin e ndodhur që nga importi e deri tek shpërndarja në treg dhe mbyllja e syve të institucioneve përgjegjëse.
Në një telefonatë me Mond Goxha, administratori i DiMal shpk, dhe pronar në hije i AMG, u shpreh se ishte i presionuar me situatën, si dhe nuk pranoi të tregonte se sa “helm” ju ka shpërndarë shqiptarëve në këtë muaj të bekuar.

Madje në orët e mbrëmjes, si për t’i hedhur sy medias dhe publikut, apo konsumatorit të cënuar rëndë në këtë rast, DiMal dhe AMG, dalin në dy deklarata, hidh e prit me njëra tjetrën, ku kompania shpërndarëse, bënte përgjegjëse kompaninë importuese, të dyja defacto, kompani të Mond Goxhas.

Po ashtu janë proceduar penalisht edhe 3 punonjës të AKU!

Kujtojmë se dje, AKU doli në një reagim zyrtar dhe u shpreh se kompanitë nuk ishin treguar bashkëpunuese, ndërkohë që kompanitë thonin të kundërtën në njoftimet e tyre.
Po ISUV ku është në këtë rast?

Deklarata e plotë e policisë:

DVP Tiranë

Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.

Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.