Një ditë më parë ZËRI arriti fitoren e parë, duke e ‘detyruar” biznesmenin italian Franceso Peluso të nënshkruante pranë një noteri një dokument ku zotohej se më datë 15 prill do të kryente pagesën e muajit shkurt.
TIRANË– Një ditë pas denoncimit tek ZËRI i skandalit me fasonerinë “Sinless Confezioni”, e cila kishte dy muaj pa paguar rrogat e punonjëseve dhe më shumë se 6 muaj pa derdhur siguracionet, ZËRI këtë të enjte ka vënë në dijeni institucionet të cilat duket se kanë qenë të “shurdhër” dhe të “verbër”, përballë një fenomeni shqetësues, i cili regjistrohej në mes të Tiranës.
ZËRI ka dërguar një kërkesë për informacion në Inspektoriatin Shtetëror të Punës, për të ditur nëse më herët ka pasur ndonjë inspektim në një nga subjektet në pronësi të biznesmenit italian Franceso Peluso. Por për të ditur dhe se si do të procedohet me rastin në fjalë, kur kemi të bëjmë hapur me shkeljen e rregullave në punë dhe “skllavërimin” modern në bizneset private. Ku ishte Inspektoriati i Punës kur shkeljet nga ”Sinless Confezioni” vinin zinxhir dhe punonjëset ishin në mëshirë të fatit, ndërsa borxhet në dyqane rriteshin? Dhe mbi të gjitha kush do të mbajë përgjegjësi?
Ndërsa zonjat, të cilat dhe bënë denoncimin pranë ZËRI-t, u shprehën se më herët kanë denoncuar në Zyrën e Punës problemin e tyre, por nuk kanë marrë përgjigje.
Si është e mundur kjo? A dështuan institucionet?
Sot dërguam dhe një kërkesë për informacion në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nëse ky intitucion ka qenë në dijeni të faktit se prej 6 muajsh “Sinless Confezioni” nuk paguante sigurimet shoqërore të zonjave që punonin në fasoneri.
Një ditë më parë ZËRI “detyroi” biznesmenin italian Franceso Peluso të nënshkruante pranë një noteri një dokument ku zotohej se më datë 15 prill do të kryente pagesën e muajit shkurt. Ndërsa paga e muajit mars do u kalojë në llogari në muajin Maj 2024. Po ashtu gjatë denoncimit vërejtëm se dhe paga e muajit janar kishte kaluar çdo limit dhe ishte derdhur në llogari më datë 15 mars.
ZËRI garanton se do i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe fton të gjithë qytetarët që përballen me raste të tilla të denoncojnë në numrin e telefonit 069 20 75 095. Misioni Vazhdon…/ZËRI