SKANDALI/ Mbetjet toksike të KURUM-it në ambient të hapur në Portin e Durrësit!

Skandali i mbetjeve toksike që “udhëtuan” në gjithë botën para se të rivinin në Shqipëri pritet të marrë përmasa akoma më të mëdha, për shkak se firma që i prodhonte këto mbetje “KURUM” e ka bërë për shumë vite, madje me dijeninë e autoriteteve policore, portuale dhe doganore.

Të gjitha institucionet kanë heshtur para këtij skandali, pasi mbetjet transportoheshin në Portin e Durrësit me kamionë të mëdhenj, të pa magazinuar, dhe pa asnjë shenjë që janë toksike.

Por, jo vetëm kaq! Mbetjet hidheshin në ambient të hapur në territorin e Portit të Durrësit, pa asnjë masë dhe liheshin për disa javë e muaj, në pritje që të mblidhej sasia e duhur për t’u eksportuar nga firma “Sokolaj”. Sërish, mbetjet në ambient të hapur, në të gjitha kushtet atmosferike, në erë e shi, në diell e ftohtë.

“Transporti i mbetjeve toksike nga Elbasani për në Portin e Durrësit bëhej nga kamionë me kazanë vetëshkarkues që ka vetë kompania Kurum. Kjo kompania ka rreth 20 kamionë, por në disa raste merrte edhe kamione të firmave të tjera si ‘D… Trans’” thanë punëtorët. Sipas tyre, në disa raste të tjera merrte kamionë edhe të firmave të tjera, por të shumtët i kishte vetë, ata që transportonte edhe hekurin.

KURUM-i vepron hapur për të eksportuar këto mbetje. Madje, i linte në terren të hapur, në syrin e autoriteteve portuale, atyre policore dhe doganore. Hetimet e tanishme të Prokurorisë së Durrësit mund të zbulojnë edhe këto detaje, ku pritet që skandali të shtrihet edhe te autoritetet shtetërore.

Deri më tani asnjë organ ligjzbatues nuk e ka hetuar KURUM-in, pasi edhe skandali i kontrabandës së solarit ka kaluar në heshtje. Sërish asnjë verifikim dhe jo më hetim, ku të gjithë institucionet, ato mjedisore, doganore apo të drejtësisë, nuk kanë vepruar. Nëse do të veprojnë tani, koha do e tregojë!