Skandali i mishit me salmonelë, Vlora “zhduk” gjurmët, largon pulat gati për shitje

Gjashtë subjekte në Vlorë janë evidentuar deri më tani që kanë pasur në ambientet e tyre dhe kanë tregtuar për klientët pula me Salmonelë.

Këto subjekte janë evidentuar nga kontrollet që ka kryer AKU në Vlorë. Të evidentuara si subjekte që kanë pasur sasi të konsiderueshme të pulave me Salmonelë kanë qenë disa prej tyre markete, por nuk kanë munguar as restorante, të cilat për klientët janë hallka e fundit e konsumit të produkteve.

Mësohet gjithashtu se nga qyteti i Vlorës është tërhequr një sasi e konsiderueshme pulash me Salmonelë, të evidentuara deri më tani. Por edhe fast food, të cilat janë kryesisht afër shkollave dhe në qytet. Dyshohet se numri i marketeve, restoranteve dhe fast foodeve që kanë tregtuar apo përgatitur sasinë e pulës me Salmonelë është edhe më i madh.

Sipas burimeve, ka dyshime që pas daljes së lajmit publikisht, shumë subjekte private në Vlorë kanë larguar prej tyre gjithsej sasinë e pulës që kanë pasur, pavarësisht se ka qenë ose jo me Salmonelë, për t’i shpëtuar rrezikut. Kjo gjë ka zbehur “skandalin” duke ulur numrin e subjekteve të evidentuara.

 

Ndërkohë, konfirmohet se kontrollët vijojnë, dhe çdo ditë e më tepër që kalon evidentohen të tjera subjekte private dhe tërhiqet nga Vlora të tjera sasi të konsiderueshme pule me Salmonelë.