Skandal në Tajlandë – “Zonja Golf” shantazhoi murgj me foto dhe video intime, përfiton gati 12 milionë dollarë

Një skandal i bujshëm seksual dhe financiar ka tronditur institucionin budist në Tajlandë, pas arrestimit të një gruaje të njohur me nofkën “Zonja Golf”, e akuzuar për shantazh ndaj murgjve nëpërmjet raporteve seksuale të filmuara.

Sipas Policisë Tajlandeze, gruaja ka pasur marrëdhënie intime me të paktën nëntë murgj, të cilët më pas i ka kërcënuar me foto dhe video, duke përfituar në total rreth 11.9 milionë dollarë gjatë tre viteve të fundit.

Gjatë kontrollit në banesën e saj, hetuesit zbuluan mbi 80,000 materiale fotografike dhe filmike, të përdorura për të ushtruar presion mbi murgjtë që i dorëzonin shuma marramendëse parash. Një pjesë e fondeve të përfituara janë përdorur, sipas policisë, për lojëra fati online.

Rasti doli në dritë kur një abat në një tempull në Bangkok u tërhoq papritur nga jeta murgjore, pasi ra viktimë e shantazhit.

Gjithashtu, “Zonja Golf” ka pretenduar se kishte mbetur shtatzënë nga një murg, duke kërkuar pagesa shtesë në emër të “mbështetjes financiare”.

Skandali ka goditur rëndë besueshmërinë e institucionit budist tajlandez, i cili prej vitesh përballet me akuza për korrupsion, abuzime seksuale dhe trafik droge. Si reagim, Këshilli Suprem i Sanghas ka njoftuar rishikimin e rregullave të manastireve, ndërsa qeveria ka propozuar masa ndëshkuese më të ashpra për murgjtë që shkelin kodin etik.