Skandal në radhët e socialistëve spanjollë! Zyrtari i afërt me Pedro Sanchez jep dorëheqjen pas akuzave për ngacmim seksual
Partia Socialiste e Punëtorëve në Spanjë (PSOE) është përfshirë sërish në një tjetër skandal që ka tronditur themelet e qeverisë së Pedro Sanchez. Një prej figurave të larta dhe të afërta me kryeministrin, Francisco Salazar, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për ngacmim seksual, duke rënduar edhe më tej situatën politike të kampit qeverisës.
Salazar, i cili mbante funksionin e mbikëqyrësit të koordinimit institucional në rezidencën zyrtare të kryeministrit, pallatin Moncloa, dhe njëherazi ishte zëvendës në sekretariatin e partisë, u largua nga të gjitha postet të shtunën, pas publikimit të një investigimi nga portali elDiario.
Sipas raportimit, disa punonjëse të komitetit federal të PSOE-së e akuzojnë për sjellje të papërshtatshme dhe të padëshiruara, të cilat Salazar i ka mohuar, megjithëse ai kërkoi falje publike për “humbjen e besimit” dhe deklaroi se nuk i kujtohej ndonjë incident i tillë.
Aktualisht ka nisur një hetim administrativ për rastin, por ende nuk është ngritur padi penale ndaj tij.
Kjo ngjarje vjen në një moment delikat për kryeministrin Pedro Sanchez, i cili po përballet me presion në rritje për të shpallur zgjedhje të parakohshme, pasi disa skandale të njëpasnjëshme kanë tronditur partinë që ai drejton. Vetëm disa ditë më parë, Santos Cerdan, ish-sekretar i përgjithshëm i PSOE-së dhe krahu i djathtë i Sanchez, u vendos në paraburgim me vendim të Gjykatës së Lartë, nën akuzat për marrje ryshfeti në tenderë publikë të infrastrukturës.
Në një deklaratë të fortë për shtyp, Pedro Sanchez është shprehur vendosur për të mos dhënë dorëheqje:
“Kapiteni nuk i shmanget përgjegjësisë kur deti bëhet i trazuar. Ai qëndron për t’i bërë ballë stuhisë dhe për ta çuar anijen në port.”