Një ngjarje shqetësuese po trondit qytetin e Korçës, ku prej disa ditësh një faqe anonime në rrjetin social Instagram po shantazhon dhe denigron vajza të mitura të moshave 14-16 vjeç. Në këtë faqe publikohen çdo ditë emra, foto dhe video të këtyre vajzave, së bashku me të dhëna personale si adresa banimi, duke i ekspozuar përpara rrezikut dhe turpërimit publik.
Pavarësisht se disa nga vajzat kanë bërë kallëzim në Policinë e Shtetit, ende nuk ka asnjë gjurmë për identifikimin e autorëve të faqes, e cila vijon publikimet me intensitet të lartë.
Disa prej vajzave që kanë rënë pre e këtij shantazhi kanë kërkuar ndihmë edhe në media, pasi situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Disa prej tyre kanë raportuar se kanë pësuar dëmtime psikologjike dhe fizike nga tronditja. Një prej vajzave madje ka tentuar të lëndojë veten, duke prerë damarët pas publikimeve të fotove të saj në këtë faqe.
Autori apo autorët i shantazhojnë vajzat përmes mesazheve private, duke u kërkuar foto dhe video intime, nën kërcënimin se nëse nuk i sigurojnë, do të publikojnë materiale të tjera komprometuese.
Në një kohë shumë të shkurtër, faqja ka denigruar dhjetëra vajza të mitura, ndërsa policia thotë se po heton mbi rastin dhe po përpiqet të zbulojë se kush fshihet pas kësaj faqeje anonime.