Skandal në Hagë? “Jeta ime është në rrezik”, çfarë i ndodhi Sahitajt pas dëshmisë?

Në pjesën e tretë të audio-incizimeve ekskluzive që posedon gazetari Milaim Zeka, e që po publikohen në mënyrë serike në kanalin e tij në YouTube, del në pah një moment shqetësues nga një bisedë telefonike mes prokurorit kryesor në rastin ndaj Hashim Thaçit, Alan Tieger, dhe biznesmenit Halit Sahitaj – i përfshirë në këtë proces si dëshmitar.
Për herë të parë, Sahitaj rrëfen shqetësimet e tij serioze pas deklaratës që kishte dhënë në Hagë në tetor të vitit 2020, në kuadër të gjykimit për krimet e pretenduara të ish-krerëve të UÇK-së.

“Unë z. Bennett i kam thënë që kam dhënë një deklaratë si dëshmitar në atë kohë, por dua të jap një sqarim… Për mua kanë ndodhur gjëra që janë të tmerrshme,” dëgjohet duke thënë Sahitaj në incizim. “Janë gjëra shumë shqetësuese për jetën time, për jetën e familjes sime dhe për punën e prokurorëve në Hagë,” shton ai.

Ky episod vijon zhvillimet e zbuluara në pjesën e dytë të incizimeve, ku Sahitaj kishte treguar se kishte takuar nje zyrtar të lartë amerikan, ndërsa theksonte se nuk kishte kërkuar të tërhiqte deklaratën, por vetëm të ofronte një sqarim për shkak të zhvillimeve të reja që e kishin shqetësuar personalisht.

Nëse klima e frikës për të cilën flet dëshmitari do të marrë vëmendje më të gjerë ndërkombëtare, mbetet të shihet.