Skandal në Greqi/ Oficerja e policisë rrugore shantazhonte dhe punonte si punonjëse seksi në Dubai dhe Mikonos, nisin hetimet

Një skandal i rëndë ka përfshirë Policinë e Greqisë pas denoncimeve ndaj një oficereje të Drejtorisë së Policisë Rrugore të Pireut, e cila dyshohet se, pas orarit zyrtar të punës, shantazhonte qytetarë për para dhe punonte si punonjëse seksi me pagesë në Dubai, Mikonos dhe Atikë.

Sipas mediave greke, ndër të cilat edhe “Zougla.gr”, bëhet fjalë për Eleni Bobou, e cila akuzohet për një sërë aktivitetesh të paligjshme. Hetimet ndaj saj janë nisur nga Drejtoria e Punëve të Brendshme të Policisë greke, pas një denoncimi anonim ku përshkruhej aktiviteti i dyshimtë i oficeres dhe përdorimi i statusit të saj për të fshehur veprimtarinë jashtëligjore.

Në ankesën drejtuar autoriteteve theksohet se Bobou, duke shfrytëzuar njohjet me zyrtarë të lartë të policisë dhe të politikës, ka siguruar mbrojtje, duke shmangur ndëshkimin edhe pas ankesave të përsëritura ndaj saj. Denoncuesi ka deklaruar se ajo kërkonte para, dhurata dhe udhëtime të shtrenjta, ndërsa komunikimet i zhvillonte përmes aplikacioneve ku mesazhet zhdukeshin automatikisht.

Gjithashtu, ajo akuzohet për marrëdhënie të favorshme me eprorë në polici, të cilët i kanë miratuar pushime të shpeshta, duke i mundësuar qëndrime të gjata jashtë vendit për “aktivitetet” e saj.

Sipas raportimeve, Eleni Bobou është përfshirë edhe në një video me përmbajtje sadomazohiste, ku shfaqet e maskuar, duke vështirësuar identifikimin e saj të drejtpërdrejtë, megjithëse hetimet mbi këtë rast janë ende në vazhdim.

Pavarësisht pozicionit kyç që ajo mbante në Drejtorinë e Policisë Rrugore në Atikë, oficerja duket se e përdorte rrjetin e saj social Instagram për të promovuar jetën luksoze, procedurat estetike dhe udhëtimet luksoze nëpër botë.