Skandal me ushqimet e skaduara: “Master AL” nuk ka asgjësuar asgjë prej 4 vitesh – Administratori: E kishim në plan kur të bënim lekë

Një magazinë në Vorë është zbuluar si qendër e një veprimtarie të paligjshme që për vite me radhë ka ripaketuar dhe shpërndarë në treg produkte ushqimore të skaduara, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve.

Pas një hetimi të gjatë, efektivët e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit zbuluan se kompania “Master AL”, aktive në sektorin e tregtimit dhe shpërndarjes së ushqimeve të importuara, nuk kishte kryer asnjë procedurë ligjore për asgjësimin e mallrave të skaduara gjatë katër viteve të funksionimit të saj.

Gjatë kontrollit të ushtruar më 19 korrik në ambientet e magazinës në Vorë, policia sekuestroi 716 koli me ushqime të skaduara, kryesisht fruta të thata dhe kroasantë, të importuara nga Turqia. Produktet, që duhej të ishin tërhequr nga tregu dhe asgjësuar sipas ligjit, ishin hequr nga ambalazhet origjinale, duke humbur çdo gjurmë të datës së skadencës, dhe më pas ripaketoheshin në sasi më të mëdha, deri në 5 kg, me qese plastike transparente, pa asnjë etiketë apo informacion të detyrueshëm për konsumatorin.

Sipas burimeve zyrtare, kompania nuk furnizonte drejtpërdrejt tregtarët, por shpërndante mallrat në pika shumice, të cilat më pas i shpërndanin në rrjetin e supermarketeve dhe dyqaneve, shpesh në formën e “ofertave” me çmime të ulëta. Në këto raste, nuk lëshohej asnjë faturë tatimore, pasi produkti figuron si i tërhequr për asgjësim dhe nuk ka më gjurmë të regjistruara në sistemin tatimor.

Në përfundim të operacionit, u arrestuan administratori i kompanisë, Florenc Domi, 38 vjeç, dhe magazinieri Agim Domi, 58 vjeç, të cilët tashmë ndodhen në “arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Tiranës. Dy të tjerë, ortaku dhe shoferi i magazinës, janë vendosur në hetim në gjendje të lirë.

Në deklaratat e tyre para gjykatës, të ndaluarit pohuan se produktet nuk ishin për shitje, por për t’u asgjësuar “sapë të krijoheshin kushtet financiare”. Sipas ligjit për ushqimin, kostot e asgjësimit përballohen nga vetë operatori ushqimor, dhe procesi duhet të kryhet në prani të përfaqësuesve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke dokumentuar gjithçka me procesverbal në vendin e miratuar për shkatërrim.

Policia dhe prokuroria po hetojnë më tej nëse veprimtaria ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe në çfarë përmasash. Dyshohet se produktet e skaduara janë rikthyer në përdorim në mënyrë të përsëritur, ndërkohë që në ambientet e magazinës mallrat e skaduara mbaheshin në të njëjtin vend me ato që ishin ende brenda afatit të konsumimit, duke rritur rrezikun për kontaminim të kryqëzuar.