“S’kam lidhje me botën e krimit” – I mbijetoi 24 plumbave, Kevin Hajrulla del nga spitali i Traumës një muaj pas atentatit
Kevin Hajrulla, i riu që u plagos rëndë në një atentat mafioz në Vlorë në dhjetor 2024, ka lënë Spitalin e Traumës pas më shumë se një muaj trajtim mjekësor. Ai u qëllua me 24 plumba, por fatmirësisht arriti t’i mbijetojë sulmit.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Hajrulla ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me botën e krimit dhe se është një punonjës në një call center. Megjithatë, dyshohet se atentati ndaj tij mund të lidhet me përplasje mes grupeve kriminale në Vlorë.
Kush është Kevin Hajrulla?
Kevin Hajrulla është kushëri i Inez Hajrullës, i njohur si një nga personat e fuqishëm në botën e krimit në Vlorë. Inez Hajrulla mori drejtimin e grupit kriminal të Edison Arizajt pas vrasjes së këtij të fundit në Durrës në vitin 2018. Ai ndodhet prej vitesh në përplasje me grupin rival të drejtuar nga Bernard Sinamati.
Në janar 2024, nipi i Sinamatit, Gëzim Sinamati, u vra me snajper teksa ndodhej në ballkonin e pallatit të tij. Vrasja ka rritur më tej tensionet mes dy grupeve. Në përvjetorin e vrasjes së tij, në varreza ishte vetëm nëna e të riut, ndërsa familjarët e tjerë nuk shkuan për shkak të frikës nga përplasjet e mundshme.
Hetimet dhe shqetësimet e familjes Hajrulla
Policia e Vlorës ka sekuestruar javët e fundit tre automjete të blinduara që i përkasin grupit të Inez Hajrullës, por ende nuk ka marrë në pyetje atë për atentatin ndaj kushëririt të tij. Hetuesit nuk kanë ende të dyshuar për sulmin ndaj Kevin Hajrullës, ndërsa provat për identifikimin e autorëve janë të pakta.
Familja e Hajrullës ka shprehur shqetësim për sigurinë e djemve të familjes, të cilët ndihen të kërcënuar dhe në shënjestër të grupeve kriminale. Për momentin, policia vazhdon hetimet, ndërsa tensionet mes grupeve rivale në Vlorë mbeten të larta.