“S’kam folur me Durim Bamin”/ Altin Morina apelon “arrestin me burg”, kundërshton akuzat

Altin Morina, ish-efektiv i Forcave RENEA, ka ankimuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në seancën e mbajtur në Apelin e GJKKO-së, mbrojtja e Morinës kundërshtoi pretendimet se klienti i tyre kishte pasur komunikime në aplikacionin e koduar “SkyECC” me Durim Bamin.

Sipas avokatit, Morina nuk ka pasur kurrë një pajisje me aplikacionin “Sky ECC” duke theksuar se edhe në dosje nuk ka asnjë komunikim mes ish-efektivit dhe Durim Bamit. Po në mbrojtje është shtuar se në dosjen hetimore përmenden vetëm referenca të të tretëve që flasin në emër të Morinës, por jo vetë klienti i tyre.

Ish-efektivi i RENEa-s u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. Altin Morina me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi.

Një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal. Më pas, Altin Morina ka qenë në kërkim që prej lëshimit të urdhër-arresteve në kuadër të operacionit të koduar “REVANSHI”. Ai u kap më 4 prill 2025 nga efektivët e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë dhe iu vendosën prangat pas disa javësh kërkime intensive.