Jo të gjithë qytetarët do të mund të marrin kredi pranë bankave apo pranë mikrofinancës. Po ashtu nuk do të lejohet që një individ të marrë disa kredi pa kufizim njëkohësisht.
Në rregulloren e re që Banka e Shqipërisë po përfundon së hartuari, do të jenë tre shtylla kryesore me kufizime në kredidhënie jo vetëm për jo-bankat por dhe për sektorin bankar të nivelit të dytë. Masa kufizuese që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve nga kreditë, kryesisht nga sektori jo-bankar, sidomos pas skandalit të MCA e Final.
Zyrtarisht Banka e Shqipërisë sqaron për Report TV se do kufizohet numri i kredive që mund të marrë një individ në banka ose jo-banka pasi, ata qytetarë që kanë pasur disa hua për të kthyer, janë edhe më të ekspozuarit për t’u klasifikuar kredimarrës me probleme. Fenomen ky që doli në pah edhe në rastin e MCA e FINAL, ku kreditë nuk ishin kthyer pasi nuk kanë aftësi paguese.
Masa e tretë që do vendoset në rregullore ka të bëjë me plotësimin e disa kushteve për t’u kualifikuar për të marrë kredi. Pasi historiku i kreditimit ka treguar që edhe persona me probleme të shëndetit mendor kanë marrë kredi. Pra do të ngrihet një listë e zezë me kategoritë që s’duhet t’u jepet kredi.
“Këto ndryshime mund të synojnë përmirësimin e kërkesave lidhur me etikën e dhënies së kredisë, nga bankat dhe subjektet financiare jo banka”, thotë për Report TV, Banka e Shqipërisë.
Aktualisht janë rreth 70 mijë kontrata kredie në regjistrat e 3 kompanive të licencuara për veprimtari të mbledhjes së kredive të këqija me licenca aktive, ndërsa njëra kompani e licencuar vjet nuk ka ende portofol të blerë. Po ashtu në këtë shifër përfshihen edhe kontratat e MCA dhe FINAL, të cilave ju është hequr licenca, por që kreditë po mbahen nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë.
“Nuk bëhet fjalë për 70 mijë klientë pasi ka kredimarrës me më shumë se një kredi me probleme”, thotë BSH.
Vlera e kredive që po trajtohen nga këto kompani sipas informacionit zyrtar të marrë pranë Bankës së Shqipërisë përllogaritet në 13 miliardë lekë ose 130 milionë euro.
“Vlera e principalit të kredive të regjistruara në portofolin e shoqërive që kanë si objekt kryesor të veprimtarisë së tyre trajtimin e kredive të blera nga subjektet e tjera, në muajin gusht 2024, është rreth 13 miliardë lekë”, përgjigjet banka.
Banka Qendrore ka kërkuar më herët nga Ministria e Financave të propozojë kthimin në ligj të rregulloreve që kufizojnë normën maksimale të interesit të kredive që japin shoqëritë jo-banka dhe kufizimin e penaliteteve në 30% të totalit të detyrimeve. Këto masa shtrënguese po ndërmerren nga Banka e Shqipërisë për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet pas skandalit me MCA dhe Final, të cilët abuzuan me qytetarët duke ju shtuar detyrimet.
BURIMI: SHQIPTARJA.COM
GAZETARE: ELIZA GJEDIKU