“S’ka fletë të shtuara dhe as vota të trafikuara” – Celibashi i përgjigjet akuzave të opozitës për votat e diasporës
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas akuzave të opozitës për manipulime në votat e ardhura nga diaspora, duke i cilësuar të pabaza dhe duke theksuar se procesi ka qenë plotësisht i monitoruar.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi tha se nuk ka asnjë provë për fletë të shtuara apo vota të trafikuara, duke siguruar se i gjithë procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar nën vëzhgim të përfaqësuesve të partive politike, të organizatave të shoqërisë civile dhe ka qenë i filmuar 24 orë në 7 ditë nga kamerat e sigurisë.
“Është me rëndësi ta theksoj, dhe të gjitha partitë politike e dinë këtë, që procesi i përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor në Parkun Olimpik, dorëzimi i tij tek operatori i shërbimit postar, është një proces që garanton 100% integritetin e votimit nga jashtë,” u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se edhe rikthimi i dokumentacionit zgjedhor nga kompania DHL tek KQZ është realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente. Sipas tij, të gjitha këto procese janë zhvilluar në praninë dhe me vëzhgimin e përfaqësuesve të forcave politike dhe institucioneve të tjera të interesuara.
“Nuk ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara. Çdo gjë ka shkuar siç duhet të shkonte,” nënvizoi Celibashi.