“S’je më e gjallë në Shqipëri”/ Familja e konsideroi “mollë sherri” për vrasjen e Asim Gjoni, motra e viktimës rrëfen kërcënimet

Brunilda Gjoni, e cilësuar si “mollë sherri” për vrasjen e të vëllait, Asim Gjoni, nga babai i tyre, Hekuran Gjoni, ka rrëfyer mes lotësh se pas krimit, familja e ka braktisur dhe i ka kthyer kurrizin.

Në emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, Brunilda tregoi se është kërcënuar me jetë dhe kërkon mbrojtje nga shteti, pasi, sipas saj, jeta e saj është në rrezik.

“Unë nga shteti kërkoj mbrojtje. Kam frikë të dal edhe nga spitali. S’kam ku të shkoj dhe ku të rri. Më kanë thënë që nëse flas kundër familjes, nuk do jem më e gjallë në Shqipëri,” – rrëfen Brunilda mes lotësh.

Ajo theksoi se nuk i ka interesuar kurrë pasuria e babait dhe se gjithmonë kanë pasur konflikte familjare, por situata u përkeqësua pas tragjedisë.

“Familja më ktheu kurrizin. Hyra vetëm për t’i ndarë. Nuk më ka interesuar kurrë pasuria e babait. Unë doja vetëm t’i largoja prindërit nga ajo situatë. Pse më marrin inat? Nuk kam marrë asnjë lek. Pse më telefonojnë dhe më thonë: ‘Mos u duk në këtë lagje se je e vrarë’?! Nuk kam bërë asnjë krim. Jeta ime është në rrezik dhe akoma nuk po marr veten,” – u shpreh ajo.

E tronditur, Brunilda deklaroi se ndodhet në spital dhe askush nga familja nuk është interesuar për të. “Jam në spital dhe askush nuk ka ardhur të më vizitojë. Nuk u kam bërë asnjë të keqe,” – përfundoi ajo.