“S’jam marrë me drogë, kam mbështetur vëllain!” – Erion Alibej në GJKKO: Takova Suel Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin për të testuar kokainë

Në seancën e fundit në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO), bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, dha dëshminë e tij në dosjen “Plumbi i artë”. Ai rrëfeu lidhjen me Suel Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin, si dhe përfshirjen e vëllait të tij, Endritit, në aktivitetet kriminale.

Alibej tregoi se në vitin 2012-2013 vëllai i kishte kërkuar të takohej me Suel Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin për të testuar cilësinë e një sasie kokaine. Ndërsa përpara vrasjes së vëllait, Alibej mohoi përfshirjen në trafikun e drogës, duke thënë: “Në jetën time nuk jam marrë asnjëherë me drogë, por gjithmonë e kam mbështetur vëllain.”

Ai shtoi se për shkak të problemeve ekonomike të Endritit, kishte shkuar në Angli në vitin 2016, ku kishte kontaktuar me familjen e xhaxhait dhe kishte patur mundësi për të shitur kokainë, ndërsa tregoi edhe rolin e Hajdar Çopjes në trafikun drejt Gjermanisë.