“Situatë klasike ‘tokë e xanun’” – Rama publikon fotot nga 21 Dhjetori: Kush nuk i heq vetë, përballet me gjoba dhe…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me zaptimin e hapësirave publike nga biznese të ndryshme, duke publikuar këtë herë foto nga zona e njohur si “21 Dhjetori” në Tiranë.
Në postimin e tij në rrjete sociale, Rama e cilëson situatën si një “tokë e xanun” klasike, ku sipërmarrjet kanë dalë jashtë kufijve ligjorë dhe kanë uzurpuar trotuaret dhe hapësirat e përbashkëta me çadra, mushama, tavolina, karrige dhe struktura të tjera.
“Situatë klasike ‘tokë e xanun’ në Tiranë, tek 21 Dhjetori”, shkruan kryeministri, duke bashkangjitur imazhe të lokaleve që kanë pushtuar ambientet publike.
Postimi i Plotë:
Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike të qytetarëve, krim mjedisor dhe me radhë…
Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!
Ai paralajmëron se subjektet që nuk do të largojnë vetë ato që i quan “barrikada ndaj njerëzve”, do të përballen jo vetëm me masa administrative, por edhe me ndjekje penale.