Probleme në horizont për kombëtaren polake të futbollit.
Kundërshtarët e përfaqësueses sonë në kualifikueset e Euro 2024 po përballen me tensione të vazhdueshme me tifozët. Një grup i tyre, njohur si Ultras Polska 23 kanë premtuar se do bojkotojnë ndeshjen e radhës të kombëtares për të protestuar kundër Federatës Polake të Futbollit.
Ata do përfitojnë nga përballja e 7 shtatorit kundër Ishujve Faroe për të protestuar, sfidë që luhet pak ditë para se Polakët të udhëtojnë drejt vendit tonë për duelin e 10 shtatorit në ‘Air Albania’.
Tifozët polakë janë shumë kritikë për çmimin e lartë të biletave dhe organizimin e dobët të ndeshjeve të kombëtares, teksa do mungojnë në duelin e Varshavës për të shfaqur dukshëm ankesat e tyre kundër Federatës polake. Kjo formë proteste konsiderohet si masë presioni për të arritur objektivat e tyre.
Në muajin shtator, Polonia do të luajë ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Ishujve Faroe dhe Shqipërisë. Skuadra e Fernando Santos nuk e ka nisur aspak mirë fazën kualifikuese të Europianit që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Me një fitore dhe dy humbje në tre sfidat e para, Polonia zë vendin e katërt në grupin E, distancuar me tre pikë nga kombëtarja jonë, që shpreson një prej dy pozicioneve të para në grup për tu kualifikuar.