Situata me zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra të raportuara në 24 orët e fundit
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në të gjithë vendin, kryesisht në zona me shkurre, pemë dhe barishte.
Aktualisht mbeten aktive dy vatra: një në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku vijon puna për shuarjen e plotë të saj, dhe një tjetër midis fshatit Grazhdan (njësia administrative Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia administrative Dhivër) në bashkinë Finiq. Sipas njoftimit, intensiteti i kësaj të fundit ka rënë, por situata vijon të monitorohet.
Nga zjarret janë djegur rreth 18 hektarë sipërfaqe dhe rreth 220 rrënjë ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse dhe 252 forca operacionale. Forcat e Armatosura kanë kontribuar gjithashtu me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues dhe një traktor me zinxhirë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku “i lartë” për zjarre në pothuajse të gjitha qarqet.
Ministria ka përsëritur thirrjen për qytetarët që, për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja në ambiente të hapura apo djegia e mbetjeve.